Çfarë është një "brief"?

Hyrje

Brief-i është një mjet komunikimi ndërmjet jush dhe kompanisë që keni zgjedhur. Një brief i mirë është një dokument thelbësor, ku përcaktohen kërkesat kryesore të projektit tuaj. Brief-i mund të shkruhet në disa formate si për shembull: dokument në Word, PDF, prezantim në Powerpoint, etj.

Brief projekti

Pse është i nevojshëm brief-i në një projekt programimi

Të krijosh një brief kërkon kohë dhe punë, por është një përpjekje që ia vlen për arsyet e mëposhtme:

  • Ndihmon për të marrë një projekt më cilësor
    Brief-i bën të mundur që puna e ekipit që keni zgjedhur të jetë në një linjë me vizionin tuaj për projektin. Ekipi ju njeh më mirë si klient, kupton veçoritë kryesore të detyrës, si dhe qëllimet dhe pritshmëritë tuaja për projektin.
  • Kursen kohë dhe para
    Kur përcaktoni se për çfarë bën fjalë projekti dhe se cilat janë pritshmëritë tuaja, keni bërë të mundur që ekipi të mos shkojë në drejtimin e gabuar. Ribërja e punës apo kryerja e detyrave që nuk i keni kërkuar harxhon kohë dhe para për të dyja palët. Gjithashtu, saktësimi i buxhetit dhe i afateve ndihmon kompaninë e web-it të manaxhojë burimet dhe të tregohet më efikase.
  • Ndihmon në gjetjen e kompanisë së duhur të programimit
    Të marrësh kohën e nevojshme për të vendosur se çfarë dëshironi nga projekti, ndihmon të kërkoni më mirë për ekipin e duhur. Kompanitë e zhvillimit të web-it janë të specializuara në fusha të ndryshme, kështu që kur keni një vizion të qartë se çfarë doni të arrini nëpërmjet projektit tuaj, mund të zgjidhni ekipin që ju përshtatet më mirë.

Çfarë përfshihet në brief-in e një projekti

Brief-i i një projekti nuk është një specifikim teknik. Një brief i mirë përfshin të gjitha informacionet kyçe të projektit, pa hyrë në shumë detaje. Duke qenë se çdo projekt është i ndryshëm, nuk ka një model universal për brief-in e një projekti, megjithatë disa fusha kryesore që një brief duhet të përfshijë janë:

1. Përshkrim i biznesit

Përshkruani kompaninë tuaj duke përfshirë informacione si: historia e kompanisë, brand-i, madhësia e kompanisë, vendndodhjet, si dhe shpjegoni produktet dhe shërbimet që ofroni. Shkruani rreth misionit dhe vlerave të kompanisë, gjithashtu përmendni nëse keni plane për t’u rritur në të ardhmen. Çdo klient ka veçantitë e veta dhe kompania e zhvillimit të web-it ofron zgjidhje të përshtatura më mirë kur ka një koncept të qartë rreth biznesit tuaj.

2. Përshkrim i projektit

Përshkruani projektin, çfarë përfshihet në të, dhe pse vendosët ta nisni. Bëni një përmbledhje të shkurtër por të përqendruar, për t’i dhënë ekipit me të cilin punoni të kuptojë më mirë se për çfarë bën fjalë projekti.

3. Objektivat e projektit

Shpjegoni çfarë qëllimesh po përpiqeni të arrini apo cili është problemi që duhet të zgjidhni. Përpiquni që objektivat që vendosni të jenë SMART (specific, measurable, achievable, realistic, time-bound) që do të thotë: specifike, të matshme, të arritshme, realiste dhe të lidhura me kohën. Jo vetëm që kjo do të ndihmojë programuesit që kuptojnë më mirë pritshmëritë tuaja, por edhe do t’ju mundësojë të identifikoni strategjinë dhe qëllimet e projektit tuaj.

4. Audienca e synuar

Shkruani një prezantim të thjeshtë të moshës, gjinisë, pëlqimeve dhe zakoneve të përdoruesit fundor të projektit tuaj. Kompania e web-it duhet të dijë se kush do të përdorë produktin e tyre, në mënyrë që të marrin vendimet e duhura për sa i përket dizajnit dhe zhvillimit të projektit.

5. Specifikimet e projektit

Përmendni llojet e shërbimeve që ju nevojiten. Në një projekt web development për shembull, mund t'ju nevjoitet gjithashtu edhe konsultim, dizajn ndërfaqe ose eksperience (UI/UX), ose shkrimi i përmbajtjes.

Përcaktoni strukturën e përgjithshme të website-it ose aplikacionit, duke përfshirë gjëra si faqet e dëshiruara, veçoritë dhe funksionalitetet që ju nevojiten, gjuhët dhe ndërkombëtarizimin, si do të manaxhohet dhe mirëmbahet, dhe nëse keni plan ta zhvilloni më tejë në të ardhmen, dhe si. Këto specifikime nuk ka nevojë të jenë shumë teknike, por të mjaftueshme që kompania të kuptojë kërksat tuaja.

Përcaktoni nëse doni që projekti të ndërtohet nga fillimi, apo të përditësoni një projekt ekzistues. Përmendni nëse keni preferenca të caktuara rreth teknologjive që do përdoren.

6. Buxheti

Përfshini në brief buxhetin e projektit. Nëse nuk i dini me saktësi numrat, përcaktoni një shifër të përafërt. Vendosja e pritshmërive të buxhetit ndihmon të vlerësohet se çfarë mund të arrihet dhe si të manaxhohen burimet.

7. Afatet

Nëse keni menduar një afat specifik, sigurohuni që ta përmendni në brief. Duke ditur se cilat janë afatet, ekipi vendos prioritetet dhe organizon më mirë punën. Gjithashtu, përmendni nëse keni ndonjë detyrë të caktuar që duhet të arrihet ndërmjet kohës së fillimit të projektit dhe afatit përfundimtar.

Përfundim

Shkrimi i brief-it është një hap i parë themelor për çdo projekt. Tregohuni mjaftueshëm të qartë, në mënyrë që ekipi me të cilin punoni të kuptojë se çfarë i kërkohet, por gjithashtu kini besim në aftësitë dhe përvojën e tyre për të dalë me ide të reja. Një brief i shkruar mirë ndihmon programuesit e web-it të japin rezultate më të mira me kosto më efikase. Krijimi i brief-it të projektit është baza e një projekti të suksesshëm.

Mos harroni: “Të dështosh për t’u përgatitur do të thotë të përgatitesh për të dështuar”.